Stërvitja e përbashkët ushtarake “Strike 2026”, me pjesëmarrjen e dy anijeve të NATO-s dhe tri anijeve të Forcës Detare Shqiptare, ka nisur në Gjirin e Vlorës, konkretisht në zonën detare pranë gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit.

Kjo stërvitje, e cila filloi të premten, do të vijojë deri më 19 tetor. Ajo ka si qëllim përmirësimin e koordinimit të operacioneve detare dhe forcimin e bashkëpunimit mes forcave pjesëmarrëse.

Skenarët e stërvitjes përfshijnë manovra detare dhe angazhimin e forcave ajrore, të gjitha në funksion të rritjes së ndërveprimit operacional dhe aftësive të përbashkëta.

“Strike 2026” shënon stërvitjen e dytë të këtij lloji që mbahet gjatë këtij viti në Gjirin e Vlorës. Ndërkohë, aktivitetet stërvitore pritet të zgjerohen edhe në zonat detare të Durrësit dhe Shëngjinit.