Një demonstrues ka humbur jetën nga një arrest kardiorespirator gjatë protestave të së shtunës në Paris, ku policia kreu një numër rekord prej 855 arrestimesh.
Vdekja e protestuesit, i cili pësoi arrest kardiak, u konfirmua të dielën nga Policia e Parisit. Kjo e fundit theksoi se ngjarja nuk kishte lidhje me veprimet e forcave të rendit apo me përplasjet e dhunshme që shpërthyen në margjina të demonstratave masive në kryeqytet.
Sipas prefekturës së policisë, viktima u ndje papritur keq në bulevardin Magenta. Edhe pse u transportua menjëherë në qendrën e ndihmës së shpejtë nga të pranishmit, ai nuk arriti të mbijetonte.
Protestat e zhvilluara më 17 tetor ishin pjesë e një mobilizimi kombëtar, organizuar kundër rritjes së kostos së jetesës, kushteve të dobëta në arsim dhe problemeve në sistemin e mbrojtjes sociale.
Në to morën pjesë studentë, mësues, sindikalistë, punëtorë, pensionistë dhe simpatizantë të lëvizjes së ‘jelekëve të verdhë’.
Sipas vlerësimeve qeveritare, rreth 550 mijë persona dolën në rrugë në mbarë Francën, ndërsa organizatorët thanë se numri i pjesëmarrësve arrinte në rreth 800 mijë.
Ndërkohë, ndërsa marshimi kryesor në Paris ishte kryesisht paqësor gjatë orëve të pasdites, tensionet u përshkallëzuan drejt mbrëmjes.
Në sheshin “Place de la République” dhe zona të tjera qendrore, shpërthyen përplasje mes grupeve me maska të zeza dhe policisë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
