IndeksOnline ka raportuar më herët për një rast të therjes me thikë në Pejë, ku është plagosur një i mitur. Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili po ashtu është i mitur.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në rrugën “Onufri” në Pejë.
“Rreth orës 15:50, jemi njoftuar nga emergjenca e spitalit se një person kishte kërkuar tretman mjekësor për shkak të plagës që dyshohet se është shkaktuar nga një mjet i mprehtë”, ka deklaruar Elezaj.
Sipas tij, nga hetimet fillestare dyshohet se viktima, mashkull i mitur, është sulmuar me një mjet të mprehtë nga një person tjetër, po ashtu i mitur. I dyshuari është arrestuar, ndërsa Policia po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me institucionet përkatëse.
Ndërkohë, burime të IndeksOnline bëjnë të ditur se i plagosuri është djali i Xhevdet Kelmendit, ndërsa i dyshuari dyshohet të jetë nga familja Elshani.
Rasti vjen në kontekstin e konfliktit shumëvjeçar mes familjeve Elshani dhe Kelmendi në rajonin e Dukagjinit./IndeksOnline/
