Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, pritet të vizitojë Kosovën sot në një vizitë zyrtare. Me këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa të theksuara sigurie dhe rregullimi të trafikut, veçanërisht gjatë kalimit të eskortës presidenciale.
Në një njoftim për opinionin publik, Policia e Kosovës bëri të ditur se, gjatë qëndrimit të presidentit Milatoviq në Republikën e Kosovës, do të garantojë sigurinë e tij dhe do të menaxhojë qarkullimin rrugor.
Siç u theksua në njoftim, për të siguruar lëvizjen e pandërprerë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Kullë drejt Pejës, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të tjera të parashikuara në agjendën zyrtare, Policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme dhe në intervale të shkurtra kohore të qarkullimit rrugor në segmente të caktuara, ku pritet të kalojë eskorta. Po ashtu, mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative aty ku është e nevojshme.
Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptimin e plotë të qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për këto masa, të cilat kanë për qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së vizitës zyrtare.
