Ka ndërruar jetë anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Argjir Rexha. Lajmin e hidhur e bëri të ditur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili shprehu pikëllimin dhe ngushëllimet e tij.
Në një postim në Facebook, Haradinaj theksoi lidhjen e thellë me familjen Rexha, duke e cilësuar atë si pjesë të familjes së tij. Ai shprehu pikëllim të thellë për këtë humbje të papritur.
Haradinaj kujtoi miqësinë shumëvjeçare me Dajë Ramën, babain e të ndjerit, duke e përshkruar Argjirin si një figurë atdhetare, të respektuar nga të gjithë dhe të përkushtuar ndër vite ndaj Aleancës. “Gjithë familja jonë e ndjen familjen Rexha si pjesë të vetes. Sot morëm një lajm të hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Argjirit, djalit të tij dhe kolegut tonë në Aleancë,” shkroi Haradinaj.
Kryetari i AAK-së theksoi se Argjiri do të mbahet mend si njëri nga aktivistët e hershëm të partisë, i cili shquhej për vullnetin e jashtëzakonshëm, zemrën e madhe dhe dashurinë që rrezatonte për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin dhe të bashkëpunonin me të.
Haradinaj përfundoi mesazhin e tij duke shprehur ngushëllimet më të thella për familjen e të ndjerit. “Ngushëllimet më të sinqerta Dajë Ramës, familjes Rexha, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën Argjirin. U prehsh në paqe, Argjir!”
