Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar në Facebook pas njoftimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për rritjen e pagave të policëve. Ai ka thënë se protestuesit në Shqipëri të cilët në shikim të parë duket se po i dëmtojnë policët, janë pikërisht ata që po kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të tyre dhe rritjen e pagave.

“Pra, për shkak të këtyre protestave, policëve po ua rrisin rrogën nga janari, kurse aktualisht i subvencionuan me nga 2 mijë e 500 euro secilin. Rishpërndarja e parë e parasë veç ndodhi, si pasojë e këmbënguljes së të rinjve që protestojnë, sepse refuzojnë të mjaftohen me ‘hajt se bëhet mirë’”, shkroi ai në Facebook.

Sipas tij, një qeveri që nuk i kupton ankesat, i kupton protestat.

“Të jeni të bindur që sa më shumë që zgjat protesta, aq më shumë politika të mira do të ndërmarrë qeveria në Shqipëri, për të treguar kështu se ka mundur ta bëjë qysh moti, mundësitë kanë qenë, thjesht nuk ka dashur”, shtoi ai.

Mehmetaj ka thënë se kundërshtimi i protestave nënkupton kundërshtimin e përmirësimit të shoqërisë.

“Kush është kundër protestave është kundër përmirësimit të gjithmbarshëm shoqëror. Krejt këto budallaqet se si qenka një dorë e huaj prapa, se si influenca ruse atje, influenca kineze këtu, janë kotësira periferike që vijnë si nevoja për të dhënë disa opsione abstrakte përballë vështirësive konkrete. Shqipëria është shtet i pasur, derisa popullin e ka të varfër. Dikush duhet të japë llogari përse është kështu. Përndryshe, Kosova gjendet në të gjithë parametrat nën Shqipërinë. Pra, më keq se në Shqipëri është në Kosovë”, ka shkruar ai.