**Koha Ideale për të Pirë Kafe: Çfarë Thotë Shkenca?**

Për shumë njerëz, pirja e kafesë është rituali i parë i mëngjesit pas zgjimit. Por a është pikërisht ai momenti më i mirë për të shfrytëzuar përfitimet e saj maksimale?

Shkenca tregon se faktori kyç biologjik për t’u marrë në konsideratë është niveli i kortizolit, një hormon i lidhur me stresin dhe me shpejtësinë e reagimeve tona mendore e perceptive.

Steven Miller, një ekspert i cituar nga Shoqata për Neuroshkencë (Neuroscience DC) në Twitter, sqaron se “sa më shumë kortizol të ketë trupi, aq më vigjilentë dhe të fokusuar jemi natyralisht.”

“Prandaj,” thekson ai, “nëse e konsumojmë kafenë kur vigjilenca jonë është në kulmin e saj, efekti nxitës i kafesë nuk do të shfrytëzohet plotësisht. Kafenë duhet ta pimë në kohën kur niveli i kortizolit në trup është më i ulët.”

Niveli i kortizolit arrin pikun disa herë gjatë ditës: mes orës 8:00 dhe 9:00, mes orës 12:00 dhe 13:00, si dhe mes 17:30 dhe 18:30.

Megjithatë, nëse preferoni kafenë e mëngjesit, ajo do të jetë më efektive nëse e pini mes orës 9:30 dhe 11:30, periudhë kur nivelet e kortizolit bien ndjeshëm, para se të rriten sërish.

Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Mbretërisë së Bashkuar (NHS) sugjeron orën 14:16 si kohën ideale për kafe, por ky vlerësim nuk bazohet në matjet e kortizolit, por në studimet që tregojnë kohën kur punonjësit ndjehen më të lodhur.

Për ata që dëshirojnë të maksimizojnë përfitimet e kafesë, shkencëtarët rekomandojnë një gjumë të shkurtër 15-minutësh menjëherë pas konsumimit të kafesë.

Është vërtetuar eksperimentalisht se kombinimi i kafesë, e cila bllokon adenozinën (një kimikat që shkakton përgjumje), me një gjumë të tillë të shkurtër, siguron një gjendje maksimale vigjilence për një periudhë më të gjatë kohore.

Kjo metodë shërben si një shembull i efektit paradoksal që shumë substanca kanë në trupin tonë.