**Dita e 8-të e protestës studentore: Manjola Hasa fton në dialog në emër të qeverisë, studentët refuzojnë**

Në ditën e tetë të protestës, studentët vijuan tubimin e tyre, tashmë të mbështetur edhe nga pedagogë të universiteteve. Mes kësaj situate, qeveria ka ridërguar ftesën për dialog, duke dërguar në terren drejtoreshën e Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), Manjola Hasa.

Hasa u takua me protestuesit për t’u përcjellë mesazhin e kryeministrit Edi Rama, i cili shprehet i gatshëm për bisedime. Ajo theksoi se ftesa për dialog është e hapur për të gjithë studentët, të rinjtë dhe qytetarët që dëshirojnë të zhvillojnë një bisedë me kreun e qeverisë.

Hasa sqaroi se ndodhej në terren në emër të qeverisë, duke nënvizuar se të gjithë ata që janë të interesuar për dialog me kryeministrin janë të mirëpritur. “Unë jam këtu nisur nga ftesa e hapur për dialog, për këdo që është i interesuar të dialogojë me kryeministrin. Jam në emër të qeverisë. Qytetarët që duan të bëjnë këtë dialog me kryeministrin janë të mirëpritur, i kanë dyert e hapura,” tha Manjola Hasa.

Megjithatë, pavarësisht apelit të saj, protestuesit refuzuan kërkesën për dialog.