Mbrojtja e Jakup Krasniqit kërkon pranimin e dëshmive të ish-zyrtarit të LDK-së dhe ish-komandantit të FARK-ut si prova

Gjykata Speciale ka bërë publike një kërkesë të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, e paraqitur në tetor 2025 dhe e bërë publike më 14 tetor 2026, për pranimin si prova të dëshmive të një ish-zyrtari të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe një ish-komandanti të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Sipas panelit gjykues, mbrojtja e Krasniqit synon t’i përdorë deklaratat e ish-zyrtarit të LDK-së për të adresuar çështje si krijimi i sistemeve paralele të arsimit dhe shëndetësisë, pjesëmarrjen e zotit Krasniqi në LDK dhe aktivitetet e tij gjatë viteve 1997-1998, si dhe perceptimin e tij për anëtarët dhe politikat e LDK-së. Paneli gjykues konstatoi se deklarata e ish-zyrtarit të LDK-së ka vlerë provuese.

“Pasi ka konstatuar se deklarata e [Emri i fshehur] është relevante dhe, në shikim të parë, autentike dhe e besueshme, Trupi gjykues gjithashtu vlerëson se deklarata e [Emri i fshehur] ka vlerë provuese,” thuhet në dokumentin e datës 3 tetor 2025.

Në dokumentin e Speciales, përmendet edhe një dokument i LDK-së, ku Jakup Krasniqi kishte shprehur pakënaqësi në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së lidershipit të partisë gjatë viteve 1997-1998. Ky dokument u vlerësua si pjesë thelbësore dhe e pandashme e deklaratës së dëshmitarit, si dhe u konsiderua relevant, autentik në pamje të parë, i besueshëm dhe me vlerë provuese. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk e kundërshtoi pranimin e tij si provë.

Më tej, dokumenti përshkruan edhe kërkesën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit për pranimin si prova të dokumenteve të ofruara nga një ish-komandant i FARK-ut, me argumentin se ato dëshmojnë për marrëdhëniet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe FARK-ut.

Mbrojtja argumentoi se provat e propozuara nga ky dëshmitar janë relevante, autentike në pamje të parë, të besueshme dhe të përshtatshme për t’u pranuar. ZPS-ja nuk e kundërshtoi pranimin e këtyre provave.

Ish-komandanti i FARK-ut, ish-oficer ushtarak, iu bashkua FARK-ut nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes së qeverisë në mërgim të Republikës së Kosovës, drejtuar nga Ahmet Krasniqi. Mbrojtja synon t’i përdorë këto dëshmi për të adresuar çështje si themelimi i FARK-ut dhe hyrja e pjesëtarëve të tij në Kosovë, marrëdhëniet dhe linjat e komunikimit ndërmjet UÇK-së dhe FARK-ut gjatë periudhës së aktakuzës, përpjekjet për bashkim, si dhe qëndrimin e zotit Krasniqi ndaj FARK-ut.

Paneli gjykues konstatoi se deklaratat e ish-komandantit të FARK-ut, megjithëse përmbanin edhe informacione me relevancë të kufizuar, ishin thelbësore për procedurat, veçanërisht lidhur me rrethanat kontekstuale, marrëdhëniet mes udhëheqësve të UÇK-së dhe FARK-ut, veprimet e atribueshme zotit Krasniqi dhe rolin e tij brenda UÇK-së.

Për këto arsye, Paneli gjykues e pranoi kërkesën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.