Sipas “Tutto Mercato Web”, siç raporton “Bernabeu Digital”, Arsenali po përgatitet të rivalizojë Real Madridin për transferimin e sulmuesit të Juventusit, Kenan Yildiz, me të dy klubet që po shqyrtojnë oferta në vlerë prej 100 milionë eurosh.

Megjithatë, Juventusi besohet se e vlerëson reprezentuesin turk në 150 milionë euro, ndërsa spekulimet për të ardhmen e tij po shtohen.

Yildiz po shndërrohet në një prej emrave kryesorë që duhen përcjellë para hapjes së afatit kalimtar të verës.

20-vjeçari po e shqyrton mundësinë e largimit nga Juventusi në fund të sezonit, nëse klubi italian nuk arrin të kualifikohet për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Real Madridi tashmë është lidhur me një ofertë fillestare prej 100 milionë eurosh për reprezentuesin turk, ndonëse Juventusi po kërkon një shumë dukshëm më të lartë.

Gjiganti spanjoll tani mund të përballet me konkurrencën nga Premierliga, pasi edhe Arsenali po e përcjell nga afër situatën.

Në fakt, sipas raportimit, Arsenali po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një oferte fillestare prej 100 milionë eurosh për Yildizin, pavarësisht këmbënguljes së Juventusit se do të nevojitej një shumë më e madhe për të negociuar largimin e tij.

Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta e kishte shqyrtuar mundësinë e transferimit të sulmuesit verën e kaluar dhe ka vazhduar ta përcjellë zhvillimin e tij, teksa vlerëson alternativat për të ardhmen.

Ndërkohë, Juventusi dëshiron me çdo kusht ta mbajë një prej aseteve të tij më të çmuara. Klubi italian pritet të shqyrtojë mundësinë e ofrimit të një kontrate të re për sulmuesin e ri, në përpjekje për ta siguruar të ardhmen e tij afatgjatë dhe për t’i zmbrapsur interesimet e disa prej klubeve më të mëdha evropiane.

E ardhmja e Yildizit te Juventusi mund të varet përfundimisht nga fakti nëse klubi do të arrijë të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.

Skuadra italiane po garon në Ligën e Evropës këtë sezon, ndërsa sulmuesi nuk dëshiron të kalojë dy sezone radhazi jashtë garës më të rëndësishme evropiane për klube.

Sipas raportimit, nëse Juventusi siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve, Yildiz do të ishte i gatshëm të qëndronte.

Megjithatë, nëse klubi nuk arrin të përfundojë në pozitat që sigurojnë kualifikimin, kjo mund ta shtyjë lojtarin të kërkojë transferimin te një skuadër që do të garojë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Një skenar i tillë do ta vinte Real Madridin dhe Arsenalin në gatishmëri, pasi të dy klubet mund të ishin në pozita të favorshme për të tentuar transferimin e tij, nëse reprezentuesi turk vendos të largohet nga Torino./GazetaExpress/