David Raya, portieri i Arsenalit, ka bërë të ditur dëshirën e tij për të luajtur në La Liga përpara se t’i japë fund karrierës. Ky lajm vjen pas një sezoni tejet të suksesshëm me klubin londinez, ku ai ka treguar formë të shkëlqyer.

Edhe pse është kthyer në portierin titullar të padiskutueshëm të “Topçinjve”, portieri spanjoll tashmë po shqyrton një rikthim të mundshëm në Spanjë. Raya ka kontratë me Arsenalin deri në verën e vitit 2028, duke i dhënë klubit londinez një pozicion të fortë negociues në lidhje me vlerësimin e tij.

Megjithatë, portieri e ka bërë të qartë dëshirën e tij për të provuar një ligë tjetër. Në një intervistë për “Marca”, Raya shpjegoi qëndrimin e tij: “Po, do të më pëlqente shumë. Do të dëshiroja ta provoja La Ligën. Për momentin jam shumë i lumtur këtu, por sigurisht që do të doja ta përjetoja futbollin spanjoll.”

Futbollisti i lindur në Barcelonë, i cili iu bashkua Arsenalit nga Brentfordi në vitin 2023, beson se karriera e tij një ditë do ta kthejë në atdhe. “Mendoj se është një ligë tejet konkurruese. Ndoshta, në të ardhmen, mund të luaj për një klub spanjoll. Jam spanjoll dhe do të më pëlqente të luaja atje, kjo është e sigurt,” theksoi ai.

Portieri po përjeton kulmin e karrierës së tij nën drejtimin e Mikel Artetës. Që prej transferimit nga Brentfordi te Arsenali, Raya është kthyer në një prej lojtarëve më të besueshëm në Premier Ligë. Ai ka grumbulluar 114 paraqitje në të gjitha garat për “Topçinjtë”, ku në 52 ndeshje nuk ka pranuar gol dhe ka pësuar vetëm 89 gola. Raya vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, në të cilin ishte vendimtar për ecurinë e Arsenalit në Premier Ligë dhe fitoren e Community Shield. Paraqitjet e tij konstante u shpërblyen me çmimin “Golden Glove” për sezonin 2023-24, një arritje që dëshmon dominimin e tij në portë në elitën e futbollit anglez.

Pavarësisht suksesit me klubin, Raya përjetoi emocione të përziera me ekipin kombëtar të Spanjës. Edhe pse ishte pjesë e skuadrës që fitoi Ligën e Kombeve, ai nuk luajti asnjë minutë në këtë turne.

Duke reflektuar mbi formën e tij të fundit dhe përvojën me kombëtaren, ai tha: “Besoj se kam zhvilluar një vit të shkëlqyer. Ndoshta gjëja e vetme që më mungoi ishte të luaja në Kupën e Botës [referuar Ligës së Kombeve]. Çdo vit që prej ardhjes te Arsenali, kam vazhduar të përmirësohem dhe shpresoj që kjo të vazhdojë.” Fokusi i tij mbetet te ruajtja e standardeve tejet të larta që i ka vendosur vetes. “Por vërtet besoj se ky vit, duke qenë pjesë kyçe e skuadrës në Premier Ligë, Ligën e Kampionëve dhe në Community Shield, ka qenë sezoni im më i mirë si profesionist, duke qenë vendimtar dhe duke fituar trofe,” theksoi Raya.