Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë zjarri dhe një sasi të dyshuar të narkotikëve gjatë një kontrolli në Ferizaj.
Rasti ka ndodhur më 19 tetor, rreth orës 19:15, në rrugën “Ramadan Rexhepi”, ku policët kanë ndaluar një motoçikletë me targa vendore, në kuadër të planit operativ për parandalimin e veprave penale që lidhen me narkotikët.
Gjatë kontrollit të një 18-vjeçari me inicialet G.A., policët kanë gjetur një pistoletë me një fishek në fole, si dhe 5.13 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
I riu është shoqëruar në stacionin policor, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori i shtetit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt hetimore. /IndeksOnline/
