Désiré Doué nuk dëshiron që fitorja e Paris Saint-Germainit ndaj Barcelonës të shihet si një duel personal mes tij dhe Lamine Yamalit.
Sulmuesi francez, i cili shkëlqeu në triumfin 4-2 të parisienëve në Ligën e Kampionëve, theksoi se suksesi ishte rezultat i punës së gjithë skuadrës.
“Nuk po dërgojmë asnjë mesazh. Thjesht vazhdojmë të punojmë dhe të fitojmë. Ky është mentaliteti dhe filozofia jonë. Do të ketë edhe momente të vështira, kur nuk do të fitojmë, dhe duhet ta pranojmë këtë. Por sot arritëm ta siguronim fitoren dhe kjo është fantastike”, deklaroi Doué pas ndeshjes.
“Nuk e pashë si duel me Yamalin”
I pyetur nëse kishte fituar duelin personal me yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, francezi ishte i qartë.
“Nuk e pashë si duel. Madje, nuk luanim as në të njëjtën anë të fushës. Ishte PSG-ja kundër Barcelonës dhe fitoi PSG-ja. Nuk besoj se ia mora vëmendjen dikujt. Unë e luaj futbollin tim për ekipin tim dhe jap gjithçka në çdo ndeshje. Lamine është një lojtar i madh, ashtu siç ka shumë futbollistë të mëdhenj te Barcelona. Prandaj, i përgëzoj”, u shpreh ai.
Doué foli edhe për kontributin e tij në fazën mbrojtëse, duke theksuar se ndihma ndaj bashkëlojtarëve është pjesë e lojës së tij.
“Përpiqem gjithmonë t’i ndihmoj shokët e skuadrës. Jam mësuar të mbroj dhe këtë e keni parë gjatë dy viteve të fundit. Nuk është diçka e re. Të gjithë u angazhuam dhe të gjithë kontribuuam, prandaj fituam”, tha francezi.
PSG-ja beson deri në fund
Sulmuesi theksoi se një nga pikat e forta të skuadrës së Luis Enriques është bindja se gjithmonë mund të gjendet një mundësi për të shënuar.
“Nuk ndihemi kurrë të pafuqishëm apo të dorëzuar në fushë. E dimë se gjithmonë ekziston një pikë e dobët e kundërshtarit dhe një mundësi deri në vërshëllimën e fundit. Vazhdojmë të krijojmë rrezik, të shfrytëzojmë cilësitë tona dhe e dimë se mund të shënojmë në çdo moment”, përfundoi Doué. /Express
