Takim pune AARC-Konjufca: Thellohet bashkëpunimi strategjik me diasporën shqiptaro-amerikane
Këshilli i Miqësisë Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka zhvilluar sot një drekë pune me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Gjatë këtij takimi, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe diasporës shqiptaro-amerikane.
Sipas njoftimit nga AARC, fokusi i takimit ishte forcimi i partneritetit strategjik dhe harmonizimi i qëllimeve të përbashkëta, me synim avancimin e interesave kombëtare afatgjata. Përfaqësuesit e AARC-së theksuan se misioni kryesor i organizatës mbetet zgjerimi i marrëdhënieve mes popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë bisedës, AARC prezantoi nismat aktuale dhe planet e ardhshme, duke veçuar përpjekjet për të mbështetur rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, si dhe për të nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia thelbësore e koordinimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe diasporës në SHBA, me qëllim rritjen e rolit të vendit në arenën ndërkombëtare.
AARC falënderoi Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, për angazhimin dhe kontributin e tij në avancimin e interesave strategjike të Kosovës.
