Enver Hoxhaj kujton kongresistin Eliot Engel: Ishte autoritet i pazëvendësueshëm, mbështetja e tij thellësisht njerëzore

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ndarë kujtime nga bashkëpunimi i tij me kongresmenin amerikan, Eliot Engel, pas ndarjes nga jeta të këtij të fundit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Hoxhaj thekson se Engel ishte një figurë me autoritet të pazëvendësueshëm, si politik ashtu edhe moral.

Duke shprehur thellësisht dhimbjen për humbjen e mikut të Kosovës, Hoxhaj ka shkruar:

“Ndarja nga jeta e Eliot Engel më preku thellë, jo vetëm si një mik i madh i Kosovës, por edhe si një zë i fuqishëm në SHBA për të vërtetën e shqiptarëve. Për mua dhe për çdo shqiptar, ai ishte një autoritet i pazëvendësueshëm politik dhe moral. Kam pasur privilegjin të punoj me të në përpjekjet për njohjen e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik, prandaj mbështetja e tij nuk ishte vetëm politike, por edhe thellësisht njerëzore e personale. Emri i tij do të mbetet përgjithmonë i lidhur me miqësinë e madhe mes Kosovës dhe Amerikës, ndërsa besimi i tij në të ardhmen e vendit tonë nuk do të harrohet kurrë.”