Deputetja australiane Helen Haines ka humbur të dyja këmbët pasi u përplas nga një makinë jashtë zyrës së saj politike në qytetin Wangaratta, në Australi, ndërsa autoritetet policore po e trajtojnë ngjarjen si një sulm të qëllimshëm.
Lajmin e konfirmoi bashkëshorti i saj, Phil Haines, i cili theksoi se, pavarësisht plagëve të rënda, deputetja mbetet e fortë dhe e vendosur për t’u rikuperuar.
Bashkëshorti e cilësoi ngjarjen si “të tmerrshme”, duke nënvizuar se ajo ka pësuar dëmtime shumë të rënda. Megjithatë, ai u shpreh se “zemra dhe mendja e saj janë në gjendje të mirë”, ndërsa shtoi se “lajmi i mirë mes gjithë kësaj është se ajo është gjallë”.
Ndërkohë, 43-vjeçari Brendan Nugent, i akuzuar se e përplasi qëllimisht deputeten me automjetin e tij, u paraqit të mërkurën për herë të parë para gjykatës.
Nugent u arrestua pak çaste pas ngjarjes, pasi, sipas policisë, drejtoi makinën drejt deputetes së pavarur jashtë zyrës së saj politike në qytetin Wangaratta.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Melburn, ku bashkëshortja e tij po merr trajtim mjekësor, Phil Haines foli për vështirësitë që deputetja do të përballet gjatë procesit të rehabilitimit.
“Rruga drejt rikuperimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por ne e dimë se ajo është një luftëtare”, deklaroi ai. “Ajo është një njeri i vendosur, që do të bëjë gjithçka mundet, me mbështetjen dhe dashurinë tonë, për t’u rikuperuar. Kjo është ajo që shpresojmë”, shtoi bashkëshorti i deputetes.
Më herët të mërkurën, Brendan Nugent u paraqit para një gjykate lokale, ku përballet me tri akuza, drejtim të rrezikshëm të automjetit që ka shkaktuar dëmtime të rënda, shkaktim të qëllimshëm të dëmtimeve të rënda trupore dhe shkaktim dëmi ndaj një zyrtari publik federal.
Policia bëri të ditur se ndaj tij mund të ngrihen akuza të tjera, përfshirë edhe atë të tentativës për vrasje. 43-vjeçari, banor i qytetit të afërt Tarrawingee, qëndroi i heshtur dhe pa shprehje gjatë paraqitjes së shkurtër në gjykatë.
Ai nuk kërkoi lirimin me kusht dhe pritet të paraqitet sërish para drejtësisë në muajin shkurt. Sipas dokumenteve gjyqësore, ai përballet gjithashtu me akuza për kultivim dhe posedim të kanabisit.
Gjatë seancës, avokati i tij deklaroi se klienti ka probleme të shëndetit mendor, pa dhënë detaje të mëtejshme.
