Një paciente me kancer të avancuar të gjirit ka ndërruar jetë pasi mbeti për rreth katër muaj pa terapinë thelbësore Palbociclib. Mungesa e këtij medikamenti në Klinikën e Onkologjisë, i cili kushton deri në 1800 euro, dhe pamundësia e pacientes për ta blerë vetë, dyshohet të ketë çuar në përkeqësimin fatal të gjendjes së saj.

Organizata “Renesansa” njoftoi të mërkurën për vdekjen e pacientes, duke theksuar se ajo ishte në terapi me Palbociclib dhe ndihej mirë, por mungesa e zgjatur e barit, ndonëse ai është pjesë e Listës Esenciale të Barnave, i shkaktoi shfaqjen e metastazave të reja në tru.

“Mungesa e terapisë i solli metastaza të reja në tru. Dhe… në fund humbi jetën,” theksoi “Renesansa” në reagimin e saj. Organizata i bëri thirrje QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të sigurojnë barnat esenciale për pacientët onkologjikë, duke e cilësuar këtë si një detyrë morale për t’u zgjatur jetën.

Edhe pse furnizimi me Palbociclib ishte rikthyer nëntë javë më parë pas nënshkrimit të një kontrate, mediumi Koha.net raporton se ky medikament ka disa ditë që mungon sërish në Klinikën e Onkologjisë. Ai nuk figuron as në listën e stokut të barnave të publikuar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK). SHSKUK nuk ka kthyer përgjigje lidhur me arsyet e kësaj mungese të përsëritur.

Palbociclibi nuk është i vetmi medikament që ka munguar. Edhe barna të tjera thelbësore si Bikaderi, Avastina, Pembrolizumabi dhe Dabrafenibi, me çmime që variojnë nga 80 deri në 1600 euro, janë konstatuar se kanë munguar për muaj të tërë. Kjo situatë detyron pacientët t’i blejnë vetë këto barna, pavarësisht se duhet të jenë të qasshme përmes sistemit publik shëndetësor.