Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk ka gjasa të vetëpropozohet për postin e presidentit dhe se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk do të mbështesë një skenar ku të tri pozitat kryesore shtetërore i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
Abdixhiku theksoi se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk është diskutuar për emra konkretë për president, duke hedhur poshtë spekulimet. Ai sqaroi se diskutimi u përqendrua vetëm në propozimet aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilave LDK-ja u ka dhënë përgjigje negative.
“Nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Kemi diskutuar për dy propozimet aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe dje në mëngjes kam dërguar përgjigje se LDK-ja nuk mund të mbështesë një skenar ku të tri pozitat shtetërore i takojnë një partie politike,” tha ai.
Abdixhiku njoftoi se gjatë javës së ardhshme mund të ketë takime të reja, por theksoi se aktualisht nuk ka zhvillime konkrete në këtë drejtim. Ai konfirmoi takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), z. Bedri Hamza, për të diskutuar qëndrimet, ndërsa theksoi se kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka refuzuar takimin. “Takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore,” shtoi Abdixhiku, duke lënë të kuptohet se refuzimi i Haradinajt është i pakuptueshëm.
Lideri i LDK-së nënvizoi se çështja e presidentit është çështje konsensuale dhe jo personale apo individuale. “Nuk ka gjasa të vetëpropozohem, sepse çështja e presidentit kërkon konsensus. Fillimisht duhet të flasim për parimet, jo për akomodime individuale në këtë fazë. Bëhet fjalë për interesa ndërpartiake,” u shpreh ai. Abdixhiku shtoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje e gjerë, atëherë partitë duhet të përgatiten për zgjedhje të reja.
Ai theksoi se, pavarësisht kalimit të rreth 30 ditëve nga afati i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ende nuk është gjetur një president konsensual. “Fillimisht duhet të flasim për parimet: çfarë profili duhet të ketë presidenti dhe a duhet të ketë marrëveshje mes LDK-së, Vetëvendosjes apo partive të tjera. Nëse ka marrëveshje, atëherë gjenden edhe emrat. Ka mjaft kandidatë të denjë; besoj që Vjosa Osmani ka qenë një kandidate e shkëlqyer,” përfundoi Abdixhiku.
