**Inflacioni arrin në 6.7%, këto janë produktet dhe shërbimet më të shtrenjta**
Çmimet e konsumit në Kosovë shënuan një rritje të theksuar gjatë muajit mars, duke e çuar inflacionin vjetor në 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në nivel mujor, rritja arriti në 1.5%. Këto të dhëna u bënë publike nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Raporti i ASK-së për marsin thekson se niveli i përgjithshëm i çmimeve u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i kategorive thelbësore të konsumit. Rritjet më të theksuara vjetore u regjistruan te shërbimet e transportit personal (+42.5%), biletat e fluturimeve (+38.4%), si dhe furnizimi me ujë dhe shërbimet e lidhura me banimin (+31.9%).
Një rritje e konsiderueshme u shënua edhe te energjia elektrike (+17.4%), karburantet dhe lubrifikantët (+17.4%), si dhe lëndët djegëse si drutë e zjarrit dhe peleti (+15.6%). Nën ndikimin e rritjes së inflacionit ishin edhe pemët (+13.1%) dhe mishi (+12.4%).
Çmime më të larta u regjistruan gjithashtu në një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh, përfshirë kafen, çajin dhe kakaon (+7.8%), shërbimet hoteliere (+6.9%), produktet ushqimore (+6.8%) dhe ëmbëlsirat e produktet e sheqerit (+5.7%). Shtrenjtim pati edhe te shërbimet ambulantore, kujdesi personal dhe mallrat për mirëmbajtjen e shtëpisë.
Në nivel mujor, rritja prej 1.5% krahasuar me shkurtin e këtij viti, u nxit kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve për transport (+25.8%), si dhe nga rritja e çmimeve të perimeve (+3.7%), pemëve (+1.5%) dhe mishit (+0.3%).
Megjithatë, disa kategori shënuan ulje çmimesh gjatë kësaj periudhe, si energjia elektrike (-3.7%) dhe lëndët djegëse të ngurta (-2.2%), duke zbutur pjesërisht rritjen e përgjithshme të inflacionit. (Burimi: KP)
