**Abdixhiku komenton projektligjin për Dhomat e Specializuara: “Ju thamë, por euforia dhe zhurma po e mundin arsyen”**

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dhënë qëndrimin e partisë së tij lidhur me projektligjin për Dhomat e Specializuara, pas kthimit të tij për rishqyrtim në Kuvend nga presidentja e Kosovës.

Në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku theksoi se në raste të tilla të rëndësishme për vendin, duhet të mbizotërojë arsyeja.

“Të them ‘ju thamë’ nuk më duket me shumë vlerë, madje më duket arrogante, por e vërteta është se ne ju thamë,” deklaroi Abdixhiku. “Ndjej keqardhje që në momente kaq thelbësore për vendin, euforia kolektive dhe zhurma po e mundin arsyen. Besoj se këto janë çaste kur duhet të jemi shumë më racionalë në veprimet tona të mëtejshme dhe të kemi guximin të themi ‘mbreti është lakuriq ndonjëherë’.”

Ai theksoi gjithashtu se LDK-ja e konsideron Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të shenjtë.

“Për LDK-në, siç e kemi theksuar vazhdimisht, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e shenjtë. Ne besojmë në një trinom të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, i cili nis me lëvizjen paqësore të Ibrahim Rugovës, vijon me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përmbyllet me ndërhyrjen e Aleancës Veri-Atlantike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. Pra, këto tri shtylla janë të pandashme për Lidhjen Demokratike të Kosovës,” u shpreh Abdixhiku në intervistën për “Rubikon”.