Jurgen Klopp ka zbuluar preferencën e tij për El Clasicon mes Barcelonës dhe Real Madridit, duke e konsideruar skuadrën katalanase si favorite në këtë përballje.

Ish-trajneri i Liverpoolit ka treguar se e ka ndjekur gjithmonë këtë supersfidë, ndërsa në të kaluarën ka qenë më shumë në anën e Barcelonës, për shkak të mënyrës agresive të lojës së Real Madridit dhe veprimeve të disa mbrojtësve të tij.

“Kam qenë më shumë mbështetës i Barcelonës, sepse isha kundër veprimeve të Pepe dhe mbrojtësve të tjerë të Real Madridit”, ka deklaruar Klopp.

Megjithatë, ai theksoi se sot mbështet skuadrën që luan më mirë, duke shtuar se, bazuar në formën aktuale, Barcelona mund të jetë favoritja e kësaj përballjeje.

El Clasico pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjekura të sezonit, me të dyja skuadrat që synojnë fitoren në një prej rivaliteteve më të mëdha të futbollit botëror. /IndeksOnline/