Gani Geci mbetet në paraburgim

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore, duke lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit. Ai dyshohet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte caktuar Gecit masën e paraburgimit prej 30 ditësh pak ditë më parë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja lidhet me një postim të Mehmetajt në Facebook, i cili trajtonte deputetin Fatos Geci.

Prokuroria pretendon se Gani Geci e kishte kanosur gazetarin, duke i kërkuar që ta fshinte ose ndryshonte përmbajtjen e postimit.

Në kërkesën për paraburgim përshkruhen edhe fjalët kërcënuese që Geci dyshohet t’i ketë drejtuar Mehmetajt brenda ambienteve të mediumit ku ai punon.

Rasti vazhdon të jetë nën hetim nga organet e drejtësisë.