Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar mbylljen e Bregut Perëndimor të pushtuar, pasi dy palestinezë të armatosur hapën zjarr të premten ndaj një pike kontrolli ushtarake izraelite, duke plagosur të paktën pesë persona. Dy prej të plagosurve janë në gjendje kritike, sipas shërbimit izraelit të emergjencës Magen David Adom.
Pas sulmit, ushtria izraelite (IDF) vendosi një “rrethim të plotë” të qytetit të Hebronit. Netanyahu tha se kishte urdhëruar IDF-në të përgatitej për një mbyllje të plotë të Bregut Perëndimor, megjithëse ende nuk është qartësuar se kur do të hyjë në fuqi saktësisht kjo masë dhe sa do të zgjasë.
Dy sulmuesit u qëlluan për vdekje nga forcat izraelite, të cilat vazhduan kontrollet në zonë për të gjetur persona të tjerë që mund të kenë lidhje me sulmin. Nuk u bë menjëherë e ditur nëse të plagosurit ishin ushtarë apo civilë.
Video nga vendi i ngjarjes tregon një shkëmbim zjarri mes personave të armatosur palestinezë dhe forcave izraelite, i cili zgjati për disa minuta. Breshëri armësh u dëgjuan në zonë. Një anëtar i ekipeve izraelite të emergjencës, i kapur në një video të Reuters, dëgjohet duke thënë se të shtënat kishin vazhduar për të paktën 20 minuta dhe se kishte vështirësi në evakuimin e të plagosurve.
Ky sulm ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve në Izrael, të parat që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023. Këto zgjedhje konsiderohen një test i rëndësishëm për Netanyahun, i cili synon të paraqitet si një lider i vendosur në çështjet e sigurisë.
IDF-ja njoftoi se gjeti automjetin e përdorur nga sulmuesit, brenda të cilit ndodhej një sasi e madhe municionesh. “Ky ishte një sulm i rëndë terrorist,” deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, gjenerallejtënant Eyal Zamir, pas një vlerësimi të situatës. Ai theksoi se “veprimi i shpejtë i luftëtarëve parandaloi një sulm edhe më të rëndë dhe dëme të mëtejshme ndaj civilëve dhe forcave të sigurisë,” dhe shtoi se municionet e gjetura synoheshin “për të kryer një sulm në shkallë shumë më të gjerë.”
