**Sot zhvillohet protesta kombëtare: Studentë, pedagogë, mjekë, artistë dhe diaspora bashkohen në Tiranë**
Kjo e shtunë shënon ditën e dymbëdhjetë të protestës studentore. Për sot, në kryeqytet është thirrur një tubim kombëtar, i cili ka mbledhur mbështetjen e pedagogëve, mjekëve dhe sindikatës së biznesit të vogël. Pritet gjithashtu një pjesëmarrje e gjerë nga studentët e rretheve.
Në shenjë solidariteti me studentët, të rinjtë dhe qytetarët, Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë (SPAKMA) ka njoftuar bashkimin e saj me protestën kombëtare. Përmes një thirrjeje publike, SPAKMA ka ftuar anëtarët, artistët dhe punonjësit e kulturës dhe medias të mblidhen sot, në orën 11:00, përpara Kryeministrisë. Sindikata thekson se pjesëmarrja lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit dhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.
Bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë është paralajmëruar për orën 14:00.
Mobilizimi për protestën kombëtare shtrihet edhe jashtë Tiranës. Studentët e rretheve, të cilët gjatë javës kanë zhvilluar protesta në qytetet e tyre universitare, pritet të udhëtojnë sot drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit qendror.
Tubimit do t’i bashkohen edhe shqiptarët nga diaspora. Pavarësisht thirrjeve të kryeministrit Edi Rama për dialog, protestuesit vijojnë të këmbëngulin në kërkesën e tyre për dorëheqjen e tij.
