Presidentja Pula Shiroka u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës për votim masiv në Serbi: Bashkimi, çelës për përfaqësim më të fuqishëm

Presidentja e Kosovës, Justina Pula Shiroka, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, përfshirë edhe ata që jetojnë në Kosovë, të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të parakohshme të Serbisë, që do të mbahen nesër, më 25 tetor. Ajo theksoi rëndësinë e kësaj pjesëmarrjeje për sigurimin e një përfaqësimi më të fuqishëm politik.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Pula Shiroka vuri në dukje se “bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik”. Ajo bëri apel për bashkim në listë dhe në votim, me qëllim që të ketë më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë.

Sipas Presidentes, ky bashkim dhe pjesëmarrje do të garantojë një zë më të fortë në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe interesave të shqiptarëve në këto tre komuna. Ajo u bëri apel votuesve ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, duke nënvizuar se “çdo votë ka rëndësi” dhe se “pjesëmarrja juaj është kontribut i drejtpërdrejtë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.”

Mesazhi i Presidentes Pula Shiroka përfundoi me thirrjen: “Të bashkuar në përfaqësim, më të fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave tuaja!”