**Protestë para Kryeministrisë: Digjen jastëkët e “tryezës së dialogut” të Ramës**
Këtë të shtunë, një protestë kombëtare u zhvillua para Kryeministrisë në Tiranë, ku protestuesit, mes të cilëve deputetë të Partisë Demokratike dhe simpatizantë, dogjën jastëkët e “tryezës së dialogut” të vendosur nga kryeministri Edi Rama.
Protestuesit, të udhëhequr nga deputetët Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj, fillimisht u mblodhën në selinë e Partisë Demokratike dhe më pas marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Menjëherë pas mbërritjes, ata i vunë flakën jastëkëve që ishin vendosur nga qeveria si pjesë e nismës së “tryezës së dialogut”.
Kjo protestë përkon me ditën e 12-të të protestës studentore, e cila kishte thirrur gjithashtu për një tubim kombëtar në kryeqytet. Me këtë tubim janë solidarizuar pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, ndërsa pritet që të marrin pjesë edhe studentë nga rrethet.
Policia e Shtetit, siç bëri të ditur Top Channel, ka angazhuar rreth 2 mijë forca në terren për të garantuar sigurinë dhe parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm.
