Kush i zgjedhë fituesit e Topit të Artë? Zbulohet sistemi i votimit për çdo çmim

Jo të gjitha çmimet e Topit të Artë, të cilat do të ndahen nesër në Londër, përcaktohen përmes të njëjtit sistem votimi. Sistemet e votimit ndryshojnë: Juria kryesore përbëhet nga gazetarë të specializuar, por çmimet për talentin e ri të vitit, dikur të njohura si Trofeu Kopa, ndjekin procedura të tjera. Disa çmime madje ndahen pa votim.

Fituesi i Topit të Artë për meshkuj zgjidhet nga 100 gazetarë, nga një për secilin prej 100 vendeve më të renditura në klasifikimin e FIFA-s. Për Topin e Artë për femra, juria përbëhet nga 50 gazetarë, të cilët përfaqësojnë 50 vendet e para në këtë renditje.

Këto dy juri janë përgjegjëse edhe për zgjedhjen e fituesve të Trofeut Yashin (që vlerëson portierët më të mirë për meshkuj dhe femra), Trofeut Johan Cruyff (për trajnerët më të mirë në të dyja kategoritë), si dhe çmimeve për klubin e vitit (për meshkuj dhe femra). Në të gjitha këto raste, juria e meshkujve voton për kategoritë e meshkujve, ndërsa juria e femrave për kategoritë e femrave.

Sistemi ndryshon për çmimet e talentit të ri të vitit, të cilat vlerësojnë futbollistët më të mirë nën moshën 21-vjeçare. Në kategorinë e meshkujve, votojnë ish-fituesit e Topit të Artë. Në kategorinë e femrave merr pjesë një juri e posaçme, e përbërë nga ish-fitueset e Topit të Artë, futbollistet që kanë zënë tri vendet e para në çmimin për femra që nga themelimi i tij në vitin 2018, si dhe kryeredaktori i revistës “France Football”.

Trofeu Gerd Müller, i cili vlerëson golashënuesit më të mirë (në kategoritë e meshkujve dhe femrave), nuk ndahet me votim, por në bazë të numrit të golave të shënuar gjatë periudhës së përcaktuar.

Çmimi Socrates, që vlerëson angazhimin shoqëror, përcaktohet nga një komitet i përbashkët i “France Football”, “L’Équipe” dhe organizatës “Peace and Sport”.

Lidhur me Topin e Artë (për meshkuj dhe femra), secili gazetar zgjedh dhjetë kandidatë dhe u ndan pikë sipas renditjes së preferencës: 15, 12, 10, 8, 7, 5, 4, 3, 2 dhe 1 pikë. Fitues shpallet kandidati që grumbullon numrin më të madh të pikëve.