Sulmuesi i Napolit, Alisson Santos, ka rënë viktimë e një vjedhjeje në shtëpinë e tij gjatë mesnatës, vetëm disa orë pas barazimit 3-3 të skuadrës së tij ndaj Romës mbrëmjen e së shtunës.
Sipas raportimeve të “TMW”, 24-vjeçari, i cili ndodhej në banesën e tij në Giugliano in Campania me bashkëshorten, u zgjua në mes të natës duke konstatuar se hajdutët kishin depërtuar brenda.
Ata janë larguar me bizhuteri, një orë luksoze dhe makinën e Santos. Vetura u gjet më vonë nga policia në Villaricca, jo shumë larg vendit të ngjarjes.
Organet hetimore tashmë po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë, në përpjekje për të identifikuar dhe kapur autorët.
Alisson Santos, i cili aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim në kofshë dhe pritet të mungojë për disa javë të tjera, e kishte ndjekur ndeshjen e bashkëlojtarëve të tij nga tribunat e “Stadio Maradona”. Ndeshja përfundoi me barazimin 3-3 kundër Romës në Serie A.
