**Haradinaj kërkon llogaridhënie nga drejtësia për vrasjen në Pejë**
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar llogaridhënie të plotë nga organet e drejtësisë për vrasjen tragjike të një gruaje në Vitomericë të Pejës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj theksoi se rastet e vrasjeve po shpeshtohen në Kosovë, duke e cilësuar situatën si një tejkalim të çdo limiti njerëzor.
“Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe. Vrasjet duhet të ndalen, shoqëria duhet të reflektojë, ndërkaq drejtësia ta kryejë punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim. Mbi të gjitha, është jetike që organet kompetente të japin përgjegjësi të plotë për çdo neglizhencë apo dështim në mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Ngushëllime familjes që humbi më të dashurën e tyre,” shkroi Haradinaj.
