Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se vala e fundit e protestave që përfshiu Evropën Perëndimore ishte pasojë e gabimeve të vetë Bashkimit Evropian. Sipas Putinit, vendet evropiane po ndeshen me vështirësi në menaxhimin e krizës së migracionit, ndërsa theksoi se emigracioni po shkatërron traditat e tyre.
“Vetë evropianët po shkatërrojnë traditat e tyre, ndaj janë edhe më pak të aftë t’ua përcjellin ato emigrantëve,” u shpreh Putin gjatë një interviste.
Fundjavën e kaluar u zhvilluan sërish protesta masive. Demonstruesit, të irrituar nga rritja e ndjeshme e kostos së jetesës dhe nga politikat e konsideruara si të paafta qeveritare, u përplasën me policinë në disa qytete, sipas raportimeve.
Pakënaqësia dhe vala e protestave kundër qeverive evropiane janë nxitur kryesisht nga trazirat e filluara në Francë në shtator, të cilat më pas u përhapën edhe në vende të tjera.
Putin theksoi se disa liderë evropianë nuk janë në gjendje të marrin përgjegjësi për këto trazira. Ai shtoi se, në vend që të analizojnë situatën dhe të identifikojnë shkaqet e saj, ata priren të fajësojnë vende të tjera, fillimisht SHBA-në dhe tani Rusinë.
“Megjithatë, ata shpejt e morën veten dhe iu rikthyen akuzave të tyre tradicionale kundër Rusisë,” citohet të ketë thënë presidenti rus. “Reagimi im i parë kur pashë këtë ishte habia, sepse të pretendosh se ne po nxisim protesta masive në qytetet kryesore evropiane është vërtet e tepërt.”
Ai shtoi se një qasje e tillë pasqyron dobësinë e liderëve evropianë dhe paaftësinë e tyre për të përballuar situatën aktuale.
