**Haxhiu: Kuvendi voton të enjten për Byronë e Pasurisë dhe Buxhetin**
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se të enjten, në orën 10:00, do të mbahet seanca plenare. Në rend dite janë shqyrtimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe projektligji për ndarjet buxhetore.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu shprehu pritshmërinë se projektligji për Byronë e Pasurisë do të miratohet. Ajo theksoi se kjo nismë ka nisur para shumë vitesh, por ende nuk është finalizuar dhe zbatuar në praktikë.
Haxhiu sqaroi se mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit mbahen rregullisht çdo të hënë në orën 11:00, ndërsa seancat plenare çdo të enjte në orën 10:00. “Sa herë do të kemi çështje për të trajtuar si Kuvendi i Republikës së Kosovës, natyrisht që do t’i trajtojmë ato pa vonesa,” theksoi ajo. Kryesia vendosi që të enjten të mblidhet Kuvendi në seancë plenare për të trajtuar dy tema “shumë të rëndësishme”: projektligjin mbi ndarjet buxhetore dhe projektligjin për Byronë, pra për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. “Një nismë që ka nisur para shumë viteve, por fatkeqësisht ende nuk ka arritur që të finalizohet dhe që të jetësohet, prandaj unë uroj që Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë projektligj do ta miratojë dhe pastaj do t’i hapet rrugë zbatimit të tij,” deklaroi Haxhiu.
Ajo theksoi rëndësinë që Kuvendi i Republikës së Kosovës t’i trajtojë pa vonesa projektligjet që vijnë nga Qeveria, si dhe të ketë nisma të reja parlamentare. Haxhiu kujtoi se Qeveria ka paraparë 200 projektligje në agjendën legjislative, të cilat do të procedohen në Kuvend dhe do të trajtohen me prioritet.
