Muhaxheri pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Bashkëpunim i plotë me drejtësinë për zbardhjen e rastit
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar ashpër pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga kunati i saj në qytetin e Pejës. Ai ka theksuar angazhimin e plotë të institucionit që drejton për bashkëpunim me organet e drejtësisë, me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj tragjedie.
Përmes një reagimi të lëshuar, Muhaxheri e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që ka tronditur të gjithë, duke shtuar se vrasja e Zekajt, përveç dhimbjes së madhe për familjen, shërben si një kambanë e fortë alarmi për shoqërinë dhe institucionet publike.
Ai bëri të ditur se pas publikimit të shqetësimeve dhe thirrjeve të fundit publike dhe institucionale të viktimës, është kërkuar menjëherë një pasqyrë dhe verifikim i plotë i çdo hapi dhe kontakti që institucionet komunale kanë pasur në këtë rast. “Nuk do të lejojmë asnjë lloj fshehjeje apo minimizimi të përgjegjësisë,” theksoi kryetari i Komunës së Pejës.
Njëkohësisht, ai shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Zekaj dhe të gjithë qytetarëve të Pejës. Muhaxheri u zotua se angazhimi i Komunës për të mbrojtur gratë dhe për të siguruar që asnjë thirrje për ndihmë të mos mbetet pa përgjigje, do të jetë i palëkundur. “Do të bashkëpunojmë ngushtë me drejtësinë për të zbardhur plotësisht çdo detaj të këtij rasti,” përfundoi ai në reagimin e tij.
