Arblind Pireva deklarohet i pafajshëm për vrasjen në Prishtinë, pretendon se veproi në vetëmbrojtje
**Prishtinë** – Arblind Pireva u deklarua i pafajshëm në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me akuzën për vrasjen e A.H. në maj të këtij viti. I akuzuari kundërshtoi cilësimin juridik të veprës penale, duke theksuar se akti i tij ishte kryer në vetëmbrojtje.
“Aktakuzën në cilësinë juridike e kundërshtoj. Për këtë akuzë që u lexua, deklarohem i pafajshëm, pasi ky cilësim juridik nuk qëndron. Qëndron vrasje në vetëmbrojtje”, citohet të ketë thënë Pireva, sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”.
Deklarata e Pirevës erdhi pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj. Pas kësaj, gjyqtari i rastit, Gazmend Bahtiri, njoftoi të akuzuarin dhe avokatin e tij mbrojtës se kanë një afat prej 30 ditësh për të paraqitur kërkesë për hedhjen e aktakuzës ose kundërshtimin e provave.
Në seancën fillestare ishin të pranishëm prokurorja Fitore Sadikaj, i akuzuari Arblind Pireva së bashku me avokatin e tij Jeton Osmani, si dhe pala e dëmtuar Arben Hajdari.
Nga ana tjetër, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Arblind Pireva akuzohet se më 27 maj të këtij viti, në korridorin e një objekti banesor në Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme me tani të ndjerin A.H. lidhur me një borxh, e ka privuar me dashje nga jeta duke e qëlluar tri herë me armë zjarri.
Si pasojë e plagëve të shkaktuara në kokë, gjoks dhe pjesën e sipërme të këmbës së majtë, A.H. humbi jetën. Aktakuza thekson se pas të shtënave, i pandehuri Pireva iu afrua viktimës, ia mori telefonin dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Po ashtu, aktakuza e ngarkon Pirevën se në të njëjtën datë, vend dhe kohë, ka poseduar dhe përdorur pa autorizim ligjor një armë zjarri të tipit “Revolver”, me të cilën kreu vrasjen.
Për këto arsye, Arblind Pireva akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1.6 i Kodit Penal, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.
