Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, do të ketë mundësi të monitorojë rrjetet sociale për të mbledhur informacione mbi flukset e migracionit, në kuadër të kompetencave të reja që Bashkimi Evropian synon t’i japë për të luftuar migracionin e paligjshëm.
Komisioni Evropian prezantoi të martën një paketë ndryshimesh për forcimin e kapaciteteve të Frontex-it, duke i dhënë asaj një rol më të rëndësishëm në kthimin e personave që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në BE. Kompetencat e reja përfshijnë edhe kryerjen e operacioneve të kthimit jashtë territorit të unionit, si dhe mbikëqyrjen e përmbajtjeve në rrjetet sociale.
Roli i platformave sociale në përhapjen e informacioneve që nxisin migracionin e paligjshëm ishte në qendër të krizës në Ceuta, enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut, ku mijëra emigrantë kaluan në mënyrë të paligjshme kufirin brenda pak orësh, në muajin korrik.
Rregullat e reja parashikojnë krijimin brenda Frontex-it të një qendre për monitorimin dhe reagimin në internet, e cila do të ndjekë përmbajtjet e disponueshme publikisht në rrjetet sociale, për të identifikuar zhvillimet që lidhen me menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së.
Qendra do të ndihmojë gjithashtu në ndërmarrjen e veprimeve kundër përmbajtjeve të paligjshme në internet që lidhen me rreziqet për sigurinë kufitare, deklaroi të martën komisionerja evropiane për teknologjinë, Henna Virkkunen.
Sipas Komisionit Evropian, Frontex do të synojë gjithashtu të marrë statusin e një “sinjalizuesi të besuar” në kuadër të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA). Ky status i lejon një subjekti të raportojë përmbajtje të paligjshme drejtpërdrejt te platformat online, të cilat duhet t’i trajtojnë këto raportime me përparësi.
Statusi jepet nga autoritetet kombëtare përgjegjëse për rregullimin e shërbimeve digjitale. Përmbajtjet e sinjalizuara nga subjektet e njohura si sinjalizues të besuar kalojnë në një proces të përshpejtuar shqyrtimi nga platformat online.
Virkkunen bëri të ditur se Frontex do të aplikojë pranë autoriteteve kombëtare për marrjen e këtij statusi. Ajo shprehu pritshmërinë se kërkesa do të miratohet, duke iu referuar ekspertizës së specializuar të agjencisë në fushën e sigurisë kufitare. /Panorama
