**Gjendet i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt, kërkon të flasë me familjen para se të dorëzohet**

Mbrëmjen e sotme janë shënuar zhvillime të reja në kërkimin e Albert Sylajt, i dyshuari kryesor për vrasjen e Arlinda Zekajt, një krim që tronditi opinionin publik më 25 tetor.

Burime të gazetës Sinjali bëjnë të ditur se vendndodhja e të dyshuarit është identifikuar sonte, më 27 tetor, dhe ai ka shprehur gatishmërinë për t’u dorëzuar pranë autoriteteve. Megjithatë, Sylaj ka vendosur një kusht: dëshiron të flasë me familjarët e tij paraprakisht.

Sipas informacioneve ekskluzive të siguruara nga Sinjali, Sylaj ka komunikuar me vëllain e tij nëpërmjet interfonit. Gjatë kësaj bisede, ai ka kërkuar të bisedojë “vetëm 10 minuta” me familjen para se të dorëzohet.

Këto zhvillime të fundit kanë rritur pritshmëritë se dorëzimi i të dyshuarit do të ndodhë së shpejti, ndonëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse ai është dorëzuar apo arrestuar.

Ky zhvillim vjen pas informacioneve se Sylaj ishte parë mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ku dyshohej se po kërkonte ndihmë për t’u larguar drejt Serbisë.

Mbetet të konfirmohet përfundimi i veprimeve të autoriteteve dhe dorëzimi i Albert Sylajt.

Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, ndërsa Albert Sylaj dyshohet për kryerjen e këtij krimi të rëndë.

*Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.*