SPAK mbyll fazën hetimore për Ministren Belinda Balluku
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me avokatin e saj, Ardian Kalia, u paraqitën sot në zyrat e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Atyre u është komunikuar zyrtarisht vendimi për përfundimin e fazës hetimore në lidhje me çështjen ndaj saj.
Sipas burimeve të “Top Channel”, numri i personave të përfshirë si të dyshuar në këtë çështje është i konsiderueshëm.
Kjo paraqitje e Ballukut vjen pas asaj të datës 20 tetor, kur asaj iu njoftuan akuzat nga Prokuroria e Posaçme, si dhe vendimi për zgjatjen e afatit të hetimeve. Me përfundimin e fazës hetimore, dosja tashmë do të kalojë në shqyrtim për vendimmarrjen e mëtejshme, nëse do të dërgohet për gjykim apo do të pushohet nga akuzat.
Akuzat ndaj Ballukut përfshijnë disa vepra penale, si më poshtë:
* “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në nëntë raste, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.
* “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
* “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
* “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive dhe interesave privatë”, në dy raste, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë, i Kodit Penal.
* “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, lidhur me dy pasuri të paluajtshme, parashikuar nga neni 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.
