Aktorja e njohur turke, Deniz Baysal, e cila aktualisht interpreton personazhin e Esmes në serialin Taşacak Bu Deniz, ka tërhequr vëmendjen me deklaratat e saj rreth jetës private dhe transformimit shpirtëror që ka përjetuar gjatë dy viteve të fundit pas divorcit të saj.
Aktorja foli hapur për ndryshimin që ka përjetuar në raport me besimin, duke treguar se kjo përvojë i ka sjellë më shumë qetësi dhe lumturi në jetën e saj.
Baysal u shpreh se gjatë kësaj periudhe ka kuptuar se çfarë do të thotë ta gjesh Zotin, duke theksuar se besimi ka ndikuar pozitivisht në mënyrën se si e përjeton jetën.
“Gjatë këtyre dy viteve mësova se çfarë do të thotë që njeriu ta gjejë Zotin. Më bëri jashtëzakonisht mirë”, u shpreh aktorja.
Ajo tregoi se një ëndërr që kishte parë i kishte zgjuar ndjenja të veçanta, duke e ndihmuar të përjetonte një dashuri të pakufishme. Sipas saj, kjo përvojë e bëri jetën të dukej më e lehtë, ndërsa besimi i solli më shumë lumturi.
“Pashë një ëndërr dhe më pas ndjeva atë dashuri të pafundme. Jeta filloi të bëhej më e lehtë për mua. Sa më shumë besoja, aq më e lumtur bëhesha”, rrëfeu ajo.
Gjatë bisedës, moderatorit nuk i shpëtoi pa e pyetur aktoren për detajet e ëndrrës që kishte përmendur. Megjithatë, Deniz zgjodhi të mos e tregonte atë, duke lënë të kuptohet se përvoja kishte pasur një ndikim të thellë tek ajo.
“Le të mos e tregoj. Thonë se ëndrrat nuk duhen treguar shumë. Mund të them se pashë vdekjen dhe se sa e lehtë është ajo… Nuk mund ta përshkruaj atë që ndjeva”, u shpreh Baysal.
Deklarata e saj tërhoqi vëmendjen, veçanërisht për mënyrën se si aktorja e përshkroi përvojën dhe ndikimin që ajo pati në botën e saj të brendshme.
