Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet intensive mes rrënojave të trenave të përplasur në Spanjë, ndërkohë që numri i viktimave ka arritur në 68. Ky është aksidenti i dytë vdekjeprurës me tren me shpejtësi të lartë në vend këtë vit.
Puna e ekipeve të shpëtimit vijon me kujdes të shtuar, pasi ende nuk mund të përjashtohet mundësia e gjetjes së viktimave të tjera të bllokuara në vagonët e shpërbërë. Kështu deklaroi një zëdhënëse e qeverisë rajonale të Kastija-La Mançës. Në reagim, qeveria spanjolle ka shpallur tre ditë zie kombëtare.
Ngjarja tragjike ka rihapur debatin mbi sigurinë e hekurudhave spanjolle, të cilat, si më të gjatat në Evropë, kanë qenë dikur burim krenarie për vendin.
Sipas Ministrit spanjoll të Transportit, Oscar Puente, aksidenti ndodhi pas një defekti në sinjalistikë, i cili shkaktoi ndalimin automatik të disa trenave. Një tren shtetëror i kompanisë Renfe u autorizua të vazhdonte rrugën me shpejtësi normale, megjithëse përpara tij ndodhej një tren tjetër i ndaluar, i operuar nga kompania Iryo.
Ndërkohë, sindikata e makinistëve të trenave në Spanjë, SEMAF, ka refuzuar të spekulojë mbi shkakun e aksidentit. Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën mbrëma, SEMAF theksoi se “do të tregojmë kujdes derisa të kemi një kuptim të detajuar të asaj që ndodhi saktësisht, në mënyrë që të mos përfshihemi në spekulime.”
