**Mick Schumacher bën rrëfim prekës: Do të hiqja dorë nga gjithçka vetëm për të folur me babanë tim**

Mick Schumacher, piloti i ri dhe djali i ikonës së Formula 1, Michael Schumacher, ka rrëfyer një dëshirë të thellë dhe prekëse në dokumentarin e ri të Netflix, “Schumacher”. Ai deklaroi se do të hiqte dorë nga gjithçka, vetëm për të pasur mundësinë të bisedonte me të atin. Kjo deklaratë vjen si dëshmi e lidhjes së fortë dhe mungesës së madhe që ai ndjen për babanë e tij, sidomos tani që edhe vetë ka përjetuar sfidat e botës së garave profesioniste.

Në dokumentarin e realizuar në bashkëpunim me familjen Schumacher, Mick thekson se ai dhe babai i tij kanë një mirëkuptim të veçantë. “Unë dhe babai kuptohemi në një mënyrë të veçantë, sepse flasim të njëjtën gjuhë – gjuhën e automobilizmit”, shprehet Mick, duke nënvizuar lidhjen e tyre unike përmes pasionit të përbashkët.

Legjenda Michael Schumacher, shtatë herë kampion bote në Formula 1, pësoi lëndime të rënda në kokë gjatë një aksidenti me ski në Méribel të Francës, në dhjetor të vitit 2013. Që nga ai moment, ai nuk është shfaqur më në publik, ndërsa familja ka zgjedhur të mbajë hermetike çdo informacion rreth gjendjes së tij shëndetësore. Në kohën e aksidentit, Mick ishte vetëm 14 vjeç, një detaj që shton thellësinë emocionale të rrëfimit të tij.