Shteti ishte “lodhur” nga ankesat e Arlinda Zekajt për drejtësi. Ajo i kishte paralajmëruar institucionet se jeta e saj ishte në rrezik dhe u kishte shkruar letra atyre e i kishte incizuar deklaratat e saj në Polici, përfshirë bisedat me zyrtarë policorë që irritoheshin nga kërkesa e saj e vazhdueshme që shteti t’ia mundësonte të jetonte në shtëpinë e saj me djalin e saj, siç kishte urdhëruar Gjykata.

Gazeta Express

Arlinda Zekaj, e cila u vra mizorisht duke i lutur institucionet që ta zbatonin një vendim gjyqësor, ka lënë me shkrim e zë prova që e implikojnë shtetin në vrasjen e saj.

Ajo u la të vritej mizorisht me sëpatë nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj të dielën në mbrëmje në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, posa një patrullë policore e çoi atje.

Vrasja u bë në sy të djalit të saj 12-vjeçar, për të cilin ligjërisht e kishte kujdestarinë, por shteti s’po ia bënte të mundur praktikisht.

Të paktën që nga mesi i vitit e deri pak orë para se të vritej, Arlinda Zekaj kishte kërkuar pa sukses zbatimin e një vendimi të Gjykatës Themelore të Pejës, e cila më 16 tetor kishte urdhëruar që të kthehej në shtëpinë e përrbashkët me ish-bashkëshortin dhe pranë djalit të saj.

Zbatimin e këtij vendimi nuk po ia mundësonte shteti. Ditën tragjike, Policia ishte njoftuar për një rast të dhunëse në familje dhe Arlinda Zekaj, së bashku me ish-bashkëshortin e saj ishin shoqëruar në stacion policor.

Ish-bashkëshorti u ndalua për 48 orë dhe ajo kërkoi t’i mundësohej të shkonte në shtëpinë e saj, siç kishte urdhëruar Gjykata. Një patrullë policore e çoi deri aty, me gjithë rrezikun për të cilin ajo e kishte paralajmëruar shtetin. E vrau ish-kunati.

Tri ditë para se të vritej, ajo i shkroi një letër me dorë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar që rasti i saj të trajtohej me urgjencë dhe duke u ankuar se po institucionet po lejonin që rreziku për jetën e saj të vazhdonte.

“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”, shkruante ajo dëshpërimisht në letër, ku uronte që “të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.

Kjo përpjekje për të marrë ndihmën e duhur institucionale që do ta parandalonte vrasjen e saj, është “e dhimbshme deri në asht”, siç shkoi vetë Arlinda Zekaj tri ditë para vrasjes.

Për të kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës, po atë ditë Arlinda Zekaj shkoi edhe në stacionin policor në Pejë. E indinjuar nga një shtet që s’donte të dëgjonte se asaj po i rrezikohej jeta, e la një audio-incizim të bërë atë ditë.

Togeri i Policisë së Pejës, Faruk Muçolli, indinjohej që Arlinda Zekaj po insistonte që të zbatohej vendimi i Gjykatës dhe që të mos lejohej që t’i rrezikohej jeta.

Një pjesë e transkriptuar e bisedës së Arlinda Zekajt me Faruk Muçolli, ku ndër tjerash, i thoshte se “unë vritem, s’ka lidhje, por ju keni me u përgjigjë”, ndërsa togeri ankohej se ajo i kishte “lodhë” me kërkesat për… jetë.

Arlinda Zekaj: Unë jam e interesuar… kur e pashë djalin, që është shkatërruar shëndeti mendor i djalit tem… s’keni vepru ju kurrgjë.

Faruk Muçolli: Na s’kemi vepru? Sa herë shkove në Inspektorat ti për këtë situatë?

Arlinda Zekaj: Edhe miliona herë. Edhe flej aty. Ku të duash shkoj.

Faruk Muçolli: A ke paraqitë kërkesë ndaj neve?

Arlinda Zekaj: Nuk di unë – unë nuk e di…

Faruk Muçolli: Nuk di? Sa herë më thirr Inspektorati unë i them le të paraqet ankesë me shkrim. Unë të kam thënë edhe atë ditë, unë s’jam i obligum me u marrë me ty. S’e kam obligim. Bindu. Sa herë po vjen qaty p’e lypë Farukin, po të del Faruki. Nuk jam i obligum. Bindu që s’jam i obligum.

Arlinda Zekaj: E kush është i obgligum atëherë nëse jo ti? Nëse jo ti, në Polici dikush duhet me u përgjigjë.

Faruk Muçolli: Atëherë në rregull. Ne jemi duke e kryer punën tonë. Në atë moment që dyshon ti që nuk jemi në rregull, ti ke të drejtë me paraqitë ankesë. Shumë e qartë.

Arlinda Zekaj: Faruk, unë jam lodhë. Unë sa herë kam ardhë dikë e kam lypë.

Faruk Muçolli: Po edhe na jemi lodhë. Bindu se edhe na jemi lodhë.

Arlinda Zekaj: Ju duhet me e zbatu aktvendimin. Kaq. Shumë e thjeshtë është.

Faruk Muçolli: Na jemi tu e zbatu aktvendimin. Na jemi në rregull. Unë konsideroj që jemi në rregull.

Arlinda Zekaj: Djalin… E keni edhe pikën aty ku djali më është besu mua. Këto më interesojmë mua. Tjetër kurrgjë, hiç, hiç.

Faruk Muçolli: Ti ndoshta e sheh ndryshe këtë, na e lexojmë ndryshe. Na jemi në rregull.

Arlinda Zekaj: Po lexojeni. Një milionë herë mundeni me lexu dhe ndoshta kuptoni atëherë.

Faruk Muçolli: Na jemi në rregull. Na e kemi obligim sot me të çu deri te dera e shpisë.

Arlinda Zekaj: Faruk, Faruk të lutem, të lutem… Unë vritem, s’ka lidhje, por ju keni me u përgjigjë. A po? A është shumë e thjeshtë. Për krejt gratë që janë vra qeshtu janë përgjigjë, masi kanë vdekë, a po?

Faruk Muçolli: Bindu, është hera e fundit – qe ku i kam edhe dy dëshmitare këtu – unë më ty s’ka me të pranu. Personalisht s’ka me të pranu.

Arlinda Zekaj: Pse? Pse?

Faruk Muçolli: Se s’e kam obligim me të pranu. Shumë e thjeshtë.

Arlinda Zekaj: E kush e ka obligim?

Faruk Muçolli: E kam obligim moral. Për obligim moral të kam pranu qe dy herë e tri herë… Po jam lodhë.

Pak ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj ankohej se në shtëpinë e saj në të cilën duhej të kthehej sipas vendimit të Gjykatës, kishte njerëz të tjerë, si ish-kundati që ia mori jetën.

Edhe deklaratat e saj të dhëna në Polici i kishte incizuar.

“Po më kërcënojnë, nuk po më lajnë me marr as bukë as ujë, as televizor me shiku, plus me jetë po më kërcënojnë”, deklaronte ajo, siç dëgjohet në një auto-incizim të publikuar. “Po ndihem e rrezikuar për jetë”, thoshte ajo.

Ndërsa e pyeste një rreshter policor se a duhej të kthehej në shtëpinë e saj, ai pohonte, por thoshte se “edhe ata kanë me qenë aty”.

“Jo, jo, jo. Nuk janë pronarë të shtëpisë”, i thoshte ajo.

Rreshteri i thoshte se duhej të ia shpjegonte “situatën e Policisë”.

“Nuk guxon kështu. Qysh me shku unë në shtëpi kur janë njerëzit e panjohur?”, pyeste Arlinda Zekaj.

Rreshteri e udhëzonte të bënte padi në gjykatë për t’i “dëbuar ata prej shtëpisë”.

“Ky është dështim total”, thoshte ajo.

Pak orë para vrasjes, kur shkoi në stacion policor së bashku me ish-bashkëshortin, Arlinda Zekaj i ishte përgjigjur me pyetje një pyetjeje të zyrtarit policor nëse ajo ka diçka për të shtuar për rastin: “Po, dua ta pyes Policinë: A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni shizofrenin?”. Ishin fjalët e saj të fundit për institucionet, para se të shkonte në shtëpinë e saj dhe të vritej nga ish-kunati, ndërsa ish-bashkëshorti i saj po mbahej në ndalim për kanosje ndaj saj.

Përgjegjësia: Kryeministri pret raport nga ministrat Gërvalla e Sveçla, protestuesit kërkojnë shkarkimin e tyre

Kryeministri Albin Kurti konstatoi dje në një mbledhje të Qeverisë se “qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet të cilat janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë” në këtë rast.

Ai tha se ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sceçla kanë afat deri sot në orën 18:00 që t’ia dërgojnë atij “një raport të detajuar me evidencat dhe lëshimet në secilar hallka të institucioneve”.

Kurti tha se në Kosovë, “drejtësia nuk është në mbrojte të të dobëtit” dhe se “shpeshherë ka dalë në krah të të fortit”.

Qindra protestues marshuan të mërkurën në Prishtinë për të kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt. Protestuesit ndaluan te Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor, Policia dhe në fund te Qeveria.

Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë përgjegjësia institucionale, përfshirë dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Protestuesit dje kanë dhënë “ultimatum” 24-orësh që ministrat Gërvalla dhe Sveçla të shkarkohen apo dorëhiqen, ndërsa kjo mbetet ndër kërkesat kryesore e protestës, që është paralajmëruar se do të vazhdojë edhe sot dhe çdo ditë tjetër deri në plotësimin e kërkesave.