Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka denoncuar një fushatë të organizuar në rrjetet sociale, përmes së cilës profilet e rreme po bëjnë thirrje për vrasjen e Ramush dhe Daut Haradinajt. Zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemaili, bëri të ditur se provat e këtyre kërcënimeve janë dorëzuar tashmë në Polici.

Xhemaili theksoi se dhjetëra profile të rreme kanë shpërndarë sistematikisht shpifje dhe informacione të pavërteta, të cilat Aleanca i ka demantuar zyrtarisht që në fillim.

Ai veçoi një profil me emrin fiktiv “Besmir Kelmendi”, i cili përdor fotografinë e Avni Rrustemit dhe e quan veten “Avni Rrustemi 2.0”. Sipas Xhemailit, ky profil, gjatë dy ditëve të fundit, ka zhvilluar një fushatë propaganduese, duke bërë thirrje publike për vrasjen e Ramush Haradinajt dhe Daut Haradinajt.

“Ky profil po synon të ndërlidhë qëllimisht emrin e familjes Haradinaj me rastin tragjik në Pejë, duke përdorur citate dhe pretendime të rreme të personave të përfshirë në atë ngjarje, me qëllim nxitjen e vetëgjyqësisë dhe akteve vëllavrasëse”, deklaroi Xhemaili.

Xhemaili bëri të ditur se Aleanca ka dorëzuar pranë Policisë së Kosovës dhe organeve të drejtësisë të gjitha të dhënat dhe provat për këtë profil dhe llogaritë e tjera të ndërlidhura.

“Ne do të ndjekim rrugën ligjore deri në fund për secilin individ që fshihet pas këtyre profileve dhe që prodhon apo shpërndan mesazhe të tilla terrorizuese”, tha ai.

Zëdhënësi i Aleancës kritikoi edhe deklaratat e deputetëve të partisë në pushtet, të cilat, sipas tij, po u japin mbështetje kësaj fushate të linçimit dhe kërcënimit në internet.

Ai e cilësoi këtë si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga dështimi i institucioneve në parandalimin e rastit tragjik në Pejë.

“Tragjeditë njerëzore nuk mund dhe nuk do të lejohen të keqpërdoren për luftë politike e as për nxitje të dhunës. Autorët e këtyre kërcënimeve dhe nxitësit e tyre politikë shumë shpejt do të përballen me forcën e ligjit dhe të drejtësisë”, përfundoi Xhemaili.