Vrasja tragjike e Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi policia e kishte shoqëruar në shtëpi pas një denoncimi për dhunë në familje, ka ridimensionuar debatin mbi përgjegjësinë e institucioneve shtetërore për mbrojtjen e viktimave të dhunës.

Përveç Policisë, Prokurorisë dhe gjykatave, një rol kyç në këtë sistem mbrojtjeje luajnë edhe Qendrat për Punë Sociale (QPS).

Megjithatë, Vebi Mujku, ekspert i çështjeve sociale dhe ish-drejtor i QPS-së në Prishtinë, thekson se këto qendra në Kosovë përballen me mungesa të theksuara në staf dhe kushte thelbësore për të kryer detyrën e tyre.

“Gjendja në 38 Qendrat për Punë Sociale në të gjitha komunat e Kosovës është alarmante. Numri i stafit është tepër i vogël. Shumica e qendrave nuk kanë psikologë të punësuar, shumica nuk disponojnë as automjete për transport, as mbështetje logjistike bazë,” shprehet Mujku gjatë podkastit “5 Pyetje” të Radios Evropa e Lirë.

Ai vlerëson se, në këto rrethana, qendrat nuk janë në gjendje t’u përgjigjen me shpejtësi dhe në mënyrë adekuate të gjitha rasteve që u drejtohen.

**Rasti i Arlindës dhe përgjegjësia institucionale**

Arlinda Zekaj kishte denoncuar në mënyrë të përsëritur tek institucionet kompetente rrezikun që i kanosej. Dështimin e tyre për të siguruar mbrojtjen e saj e konfirmuan, në një konferencë për media të premten, edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Pas vrasjes së saj, disa zyrtarë përgjegjës u pezulluan, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës dha dorëheqjen.

Sipas Mujkut, sinjalet e dhëna nga viktimat duhet të merren seriozisht dhe të shërbejnë për vlerësimin e menjëhershëm të rrezikut.

“Ajo e kishte parandjerë fundin, kishte parashikuar mungesën e mbrojtjes dhe u ishte drejtuar të gjitha institucioneve, por asnjëra nuk e mori seriozisht,” thekson ai.

Mujku kritikon gjithashtu qasjen e Policisë, duke theksuar se detyra e tyre nuk përfundon me shoqërimin e viktimës deri në vendbanim, por duhet të synojë garantimin e sigurisë së saj të plotë.

“Punonjësi i Policisë nuk është taksist. Detyra e Policisë është të garantojë siguri,” thotë ai.

Ai vlerëson se viktimat e dhunës në familje përballen edhe me pasojat e një trajtimi institucional të papërshtatshëm.

“Përveç dhunës fizike apo psikologjike në familje, ato përjetojnë edhe dhunë institucionale,” shton Mujku.

Për të përmirësuar këtë situatë, ai bën thirrje për reformimin e sistemit të shërbimeve sociale, përcaktimin më të qartë të përgjegjësive dhe sqarimin e zinxhirit të llogaridhënies për kryerjen e detyrave.

**Mbingarkesa pamundëson trajtimin e rasteve**

Sipas Mujkut, një prej problemeve thelbësore në QPS është numri i lartë i rasteve që u ngarkohen punonjësve socialë.

“Një menaxher rasti, i cili ka sot 300 dosje aktive, e ka të pamundur të mbajë mend vetëm emrat, e jo më historinë e detajuar të secilit rast,” argumenton ai.

Mujku paralajmëron se mungesa e kapaciteteve mund të bëjë që punonjësi social të arrijë të trajtojë vetëm rastet më urgjente.

“Jam thellësisht i sigurt se ka raste të cilat fare nuk trajtohen për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe kohës,” pohon ai.

Në rastet e dhunës në familje, Mujku thekson se Qendrat për Punë Sociale kanë përgjegjësi thelbësore në vlerësimin e situatës së viktimës, përcaktimin e nevojave për mbrojtje dhe koordinimin me institucionet e tjera.

“Prioritet absolut, në çdo rast, është krijimi i sigurisë. Ne duhet të sigurojmë mbrojtjen për përfituesin e shërbimeve, dhe vetëm më pas vijnë shërbimet e tjera,” saktëson ai.

**Vlerësimet e punonjësve socialë nuk merren parasysh**

Një problem tjetër që ai nxjerr në pah është bashkëpunimi midis QPS-ve dhe gjykatave. Mujku deklaron se punonjësit socialë, ndonëse e njohin nga afër situatën e familjeve dhe individëve të përfshirë në një rast, jo gjithmonë kanë mundësinë të paraqesin vlerësimin e tyre gjatë procedurave gjyqësore.

“Ka shumë ankesa kur punonjësi social shkon në seancë gjyqësore dhe nuk i jepet e drejta e fjalës. Ai nuk mund as të shprehë mendimin e vet. I thuhet: ‘Rri aty, mirë që ke ardhur’,” rrëfen Mujku.

Ai argumenton se punonjësit socialë kanë njohuri të thella dhe të drejtpërdrejta për rastet, pasi takojnë viktimat, autorët e dhunës dhe fëmijët, si dhe vizitojnë familjet e komunitetet ku ata jetojnë.

“Punonjësi social ka kontakt direkt me rastin, takon viktimën, takon ushtruesin e dhunës, takon fëmijën, shkon dhe viziton familjen, komunitetin, shkollën,” shpjegon ai.

Sipas tij, vlerësimet e këtyre profesionistëve duhet të kenë peshë vendimtare në procesin e vendimmarrjes, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë e viktimave dhe interesin më të mirë të fëmijëve. (REL)