Barcelona riaktivizon interesin për Alessandro Bastonin, synon transferim madhor në janar. Klubi katalanas ka intensifikuar sërish ndjekjen e mbrojtësit të Interit, Alessandro Bastoni.

Sipas raportimeve të medias spanjolle “Mundo Deportivo”, gjiganti katalanas mund të tentojë sërish transferimin e mbrojtësit që në afatin kalimtar të janarit, pasi përpjekja e vitit të kaluar nuk rezultoi e suksesshme.

Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, po kërkon përforcime të nivelit të lartë për të konsoliduar repartin e mbrojtjes. Bastoni vlerësohet prej kohësh nga drejtuesit katalanas dhe, ndonëse ndihet mjaft mirë te Interi, thuhet se do të ishte i gatshëm të dëgjonte një ofertë zyrtare nga një klub i përmasave të Barcelonës.

Nga ana tjetër, zikaltrit e kanë konsideruar gjithmonë mbrojtësin italian si një shtyllë të paprekshme të skuadrës. Bastoni gëzon një rol kyç në Milano, ndaj largimi i tij në mes të sezonit konsiderohet mjaft i vështirë.

Për të realizuar këtë lëvizje, Barcelona duhet të paraqesë një ofertë mjaft bindëse financiare, si për klubin italian ashtu edhe për vetë lojtarin. Theksojmë se Alessandro Bastoni ka një kontratë me Interin të vlefshme deri më 30 qershor 2028.