Shumë prej nesh e kanë përjetuar ose kanë dëgjuar të tjerët të flasin gjatë gjumit. Ky fenomen, i njohur shkencërisht si somnilokuia, është një çrregullim gjumi gjatë të cilit individi flet pa qenë i vetëdijshëm për këtë veprim. Bisedat në gjumë mund të variojnë nga dialogë të ndërlikuar apo monologë të pakuptueshëm, deri te shprehje krejtësisht të qarta dhe të kuptueshme. Sipas Fondacionit Kombëtar të Gjumit (National Sleep Foundation), somnilokuia shfaqet më shpesh tek meshkujt dhe fëmijët. Një shkak i mundshëm mund të jenë ngjarjet, përvojat ose marrëdhëniet e kaluara që ende mbartin peshë emocionale. Po ashtu, Fondacioni thekson se të folurit në gjumë mund të shkaktohet edhe nga faktorë të tjerë si stresi, depresioni, konsumi i alkoolit, temperatura e lartë trupore ose medikamente të caktuara. Sipas shkencëtarëve, episodet e të folurit në gjumë zakonisht nuk zgjasin më shumë se 30 sekonda.
