Kryeministri Edi Rama ka folur për Samitin e Diasporës, edicionin e katërt, i cili nis nesër, më 13 prill, në Tiranë. Gjatë podcastit të tij javor të dielën, Rama theksoi rëndësinë e këtij takimi që bashkon shqiptarë nga mbarë bota.
Kreu i qeverisë u shpreh se ky samit do të vërë në qendër historitë e punës, përkushtimit dhe suksesit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
“Në javën që nis nesër, mirëpresim në Tiranë Samitin e Diasporës, edicionin e katërt, që mbledh edhe njëherë shqiptarët nga të gjitha anët e botës, ata që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, por që e kanë zemrën te Shqipëria dhe, sa herë u jepet mundësia, mendojnë, komunikojnë apo vizitojnë Shqipërinë,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se Samiti fillon më 13 prill me ceremoninë e mirëseardhjes, ku vëmendja do të jetë te njerëzit dhe te historitë e tyre – histori suksesi, pune e përkushtimi, të cilat janë burim krenarie shqiptare anembanë, por njëkohësisht edhe një mundësi për vlerësim. Vlerësim jo vetëm për shqiptarët që kanë arritur suksese dhe kanë kontribuar jashtë, por edhe për miqtë e tyre të huaj, të cilët kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrugëtimit shqiptar, duke bashkuar, në një farë mënyre, krahët e shqiponjës sonë.
Kryeministri theksoi se diaspora sot përbën një forcë konkrete zhvillimi dhe vjen në këtë samit për herë të parë pas një përfshirjeje historike në procesin zgjedhor të vendit. Ajo shndërrohet në një zgjerim të Shqipërisë përtej kufijve të saj, duke u kthyer në një realitet shqiptar në transformim të vazhdueshëm, gjithnjë e më shumë si një partner i drejtpërdrejtë, duke filluar nga zgjedhjet politike, ekonomia, dhe gradualisht drejt fushave të dijes e të ardhmes.
“Sfida jonë nuk është vetëm të mbajmë këtë lidhje në nivel simbolik, por të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë dhe mendjesh që krijojnë vlerë të shtuar, në një bashkëpunim që prodhon rezultate për vendin dhe jo vetëm për vetë shqiptarët, kudo që ndodhen,” përfundoi Rama.
