Pagat mesatare vjetore në Bashkimin Evropian kanë shënuar rritje gjatë vitit 2025, duke arritur në 41 mijë e 500 euro, nga 39 mijë e 800 euro sa ishin në vitin 2024.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat), kjo paraqet një rritje prej 4.3 për qind brenda një viti.

Dallimet mes vendeve anëtare të BE-së mbeten të konsiderueshme. Luksemburgu renditet i pari me pagë mesatare vjetore prej 85 mijë e 600 eurosh, i ndjekur nga Danimarka me 73 mijë e 500 euro dhe Irlanda me 64 mijë e 400 euro.

Në anën tjetër, pagat mesatare më të ulëta janë regjistruar në Bullgari, me 16 mijë e 200 euro në vit, Greqi me 18 mijë e 800 euro dhe Hungari me 20 mijë e 100 euro.

Eurostat sqaron se treguesi përfshin pagat vjetore të përshtatura në ekuivalent të punësimit me orar të plotë, duke bërë të mundur krahasimin mes vendeve edhe për dallimet në punësimin me kohë të pjesshme.

Megjithatë, institucioni evropian thekson se këto shifra nuk janë përshtatur për inflacionin. Kjo do të thotë se rritja prej 4.3 për qind pasqyron ndryshimin nominal të pagave dhe jo domosdoshmërisht rritjen e fuqisë blerëse të punëtorëve.

Të dhënat janë publikuar më 6 nëntor 2026 nga Eurostat.