Për të pestën ditë me radhë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin e Prishtinës. Edhe sot, në qendër të kryeqytetit, ata kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra para një jave nga ish-kunati në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, ndërkohë që ajo kishte kërkuar mbrojtjen e shtetit.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë përgjegjësia institucionale, duke përfshirë shkarkimin ose dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Arlinda Zekaj, e cila u vra mizorisht pasi kishte lutur vazhdimisht institucionet për zbatimin e një vendimi gjyqësor, ka lënë prova materiale dhe zanore që implikojnë shtetin në vrasjen e saj.
Ajo u la të vritej mizorisht me sëpatë nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj, të dielën në mbrëmje, në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, vetëm pak çaste pasi një patrullë policore e kishte shoqëruar atje.
Për disa muaj, që nga mesi i vitit dhe deri pak orë para vrasjes, Arlinda Zekaj kishte kërkuar pa sukses zbatimin e një vendimi të Gjykatës Themelore të Pejës, e cila më 16 tetor kishte urdhëruar kthimin e saj në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin dhe pranë djalit të saj.
