Dy shpërthime të fuqishme janë regjistruar sot në Ngushticën e Hormuzit, pasi dy cisterna nafte dyshohet se janë goditur nga mina detare gjatë lundrimit në këtë korridor strategjik detar.
Lajmi u bë i ditur nga Garda Revolucionare e Iranit, e cila deklaroi se dy anijet po ndiqnin një “rrugë të paautorizuar” për kalimin nëpër ngushticë.
Ky incident vjen në një periudhë tensionesh, teksa Irani ka vendosur kohët e fundit kufizime për anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve detare më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Teherani ka ndërmarrë gjithashtu sulme ndaj anijeve të tjera, të cilat, sipas autoriteteve iraniane, kanë shkelur këto kufizime.
Përmes këtyre masave, Irani synon të forcojë kontrollin mbi këtë korridor strategjik detar dhe të ushtrojë presion ndaj Shteteve të Bashkuara.
Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme mbi shkallën e dëmeve të shkaktuara, gjendjen e ekuipazheve apo numrin e mundshëm të viktimave.
