Deputetja Bajrami: Kosova humb 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes, kujton 613.4 milionë euro të tjera të humbura nga masat ndëshkuese të BE-së

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Shkak i kësaj humbjeje është mosplotësimi i gjashtë nga 13 hapat e reformave të kërkuara, për të cilat afati i fundit ishte fundi i qershorit të këtij viti.

Përmes një postimi në platformën Facebook, Bajrami theksoi: “43.8 milionë euro Kosova ka humbur nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave për të cilat afati i fundit ishte qershori i këtij viti.”

Ajo gjithashtu kujtoi se kjo nuk është hera e parë që Kosova përballet me humbje të tilla financiare nga Bashkimi Evropian. Bajrami theksoi se më herët, gjatë mandatit të kaluar, vendi kishte humbur një shifër edhe më të lartë, plot 613.4 milionë euro, si pasojë e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Duke iu referuar kësaj periudhe, ajo shtoi: “Mos harroni se në mandatin e kaluar Kosova ka humbur 613.4 milionë euro, sepse falë Qeverisë për 960 ditë kemi qenë nën masat ndëshkuese të BE-së.”