Dëshmitarja në rastin ‘Capat’-‘Sekiraqa’: “U dëgjuan të shtëna të shumta armësh”

Në seancën gjyqësore për rastin e përplasjes mes grupeve “Capat” dhe “Sekiraqa”, dëshmoi sot Rinora Dermaku, bashkëshortja e pronarit të lokalit ku ndodhi ngjarja më 1 shtator 2024. Ajo tha se kishte dëgjuar të shtëna të fuqishme armësh.

Dermaku tregoi se ndodhej jashtë pak para incidentit. Pasi hyri në banak, filluan të shtënat e mëdha, çka e shqetësoi shumë. Ajo dëshmoi se bashkëshorti i saj, Valoni, erdhi te banaku, e mori dhe dolën jashtë përmes shkallëve të emergjencës. Me ta ishte edhe djali i Salihut.

E pyetur nga prokurori Bashkim Zeqaj nëse kishte vënë re diçka të dyshimtë në lokal, ajo u përgjigj negativisht. Në lidhje me vendndodhjen e Salih Sekiraqës në momentin kritik, Dermaku tha: “Në momentin kritik isha te banaku dhe nuk e di saktësisht, por ai ishte në tarracë.”

Lidhur me deklaratën e saj në Polici, ku thuhej se Shkëlqim (Shkelqa) kishte telefonuar Salihun për të pyetur nëse ishte mirë, dëshmitarja sqaroi: “Nuk e mbaj mend mirë, por (djali im) bërtiste shumë: ‘Baba, a je mirë? Baba, a je mirë?'”

Sipas aktakuzës, në lokalin “From” dhe jashtë tij në Prishtinë, grupi “Capat” kishte vepruar me paramendim dhe për hakmarrje. Të pajisur me armë zjarri – një AK-47, pesë armë të shkurtra dhe mjete të forta si shkopinj – ata kishin pasur si qëllim të privonin nga jeta Salih Sekiraqën dhe anëtarët e grupit të tij: Robert Llumnicën, Fatos Abazin dhe Endrit Llapashticën. Kjo kishte vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë të pranishëm në lokal.

Aktakuza thekson se të akuzuarit, mes të cilëve Vesel Bunjaku, si pjesëtarë të grupit “Capat”, u mblodhën, u maskuan dhe morën tre vetura, të cilave u kishin ndërruar targat me të vjedhura. Me këto vetura, Premtim Gashi (tashmë i ndjerë), së bashku me Korab Gashin, Valdrin Ademin, Dardan Marevcin dhe Erd Marevcin, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar, u nisën drejt lokalit “From”, duke ditur se aty ndodhej Salih Sekiraqa me grupin e tij.

Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me një konflikt të mëparshëm të datës 4 mars 2024, i ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i Premtim Gashit të ndjerë), i cili kishte përshkallëzuar përplasjen mes dy grupeve.